Fermerët gjilanas të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural
10.03.2015Prishtinë, 10 Mars 2015 - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin me të cilin ka biseduar për mundësitë që ofron Programi për Zhvillim Rural dhe Programi i Pagesave Direkte.
Ministri Krasniqi e njoftoi kryetarin Haziri me zhvillimet e deritanishme në bujqësi, duke theksuar se janë shënuar rezultate të rëndësishme, e që kanë ndikuar në rritjen ekonomike në vend dhe në punësim.
Ai tha se programet e sivjetshëm, ai për grante dhe ai për pagesa direkte ofrojnë më shumë mundësi për fermerët. Kjo sepse buxheti është dyfishuar dhe janë përfshirë kultura të reja bujqësore e po ashtu edhe kritere të reja lehtësuese dhe që japin rezultate. Ai përmes kryetarit Haziri ftoi fermerët nga Gjilani që të shfrytëzojnë mundësitë që ofrojnë këto programe. Duke e ditur traditën që ka Komuna e Gjilanit me kultivimin e duhanit, dhe duke e parë rëndësinë strategjike që mund të ketë zhvillimi i këtij sektori, ministri Krasniqi dhe kryetari Haziri u pajtuan që të bëhen analiza sektoriale për këtë, për të parë mundësitë që në të ardhmen të mbështetët edhe ky sektor.
Ministri Krasniqi tha se një ndihmesë të madhe në bujqësi po japin edhe komunat dhe shtoi se nga komunat bujqësisë duhet t’i jepet një fokus edhe më i madh.
Nga ana tjetër kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri e njoftoi ministrin me politikat e kësaj komune për bujqësinë. Ai vlerësoi mbështetjen që MBPZHR-ja ka dhënë deri më tani për fermerët e Gjilanit. Haziri tha se komuna do të japë përkrahjen e nevojshme për fermerët që investimet që bëhen në bujqësi nga grantet e ministrisë të japin sa më shumë rezultat në mirëqenien ekonomike të komunës dhe vendit në përgjithësi.