Sekretari i Përgjithshëm
[email protected]
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Venera Çerkini, ka ndërtuar një karrierë të pasur dhe të suksesshme në administratën publike të Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin institucional dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Ajo ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Prishtinës, ku është diplomuar në Fakultetin Juridik. Studimet e nivelit Master në të Drejtën Administrative dhe Kushtetuese i ka përmbyllur me sukses, duke përfituar njohuri të thelluara në sistemet ligjore dhe administrative.
Karriera profesionale e znj. Çerkini filloi në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në vitin 2008 si zyrtare. Gjatë viteve, ajo ka mbajtur një sërë pozitash udhëheqëse, duke përfshirë edhe pozitat e Drejtoreshës së Departamentit Ligjor dhe Departamentit të Monitorimit të Komunave. Në këto role, ajo kontribuoi në përmirësimin e kornizës ligjore dhe administrative, fuqizimin e qeverisjes lokale, si dhe rritjen e transparencës dhe performancës komunale.
Në periudhën janar 2022 dhe shkurt 2023, znj. Çerkini ushtroi detyrën e Ushtrueses së Detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ku luajti një rol kyç në avancimin e reformave dhe proceseve administrative në këtë ministri.
Në fillim të vitit 2023, ajo u emërua pozitën në pozitën e Drejtoreshës Ekzekutive të Agjencisë për Zhvillimin Rural, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural duke udhëhequr projekte dhe iniciativa të rëndësishme për zhvillimin e sektorit bujqësor.
Nga shtatori i vitit 2023, znj. Çerkini u emërua Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku vazhdon të kontribuojë me përkushtim dhe vizion për zhvillimin dhe fuqizimin e këtij sektori, i cili është jetik për ekonominë e Kosovës.
Me përvojën e saj të gjerë, aftësitë e spikatura drejtuese dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të administratës publike, znj. Çerkini mbetet një figurë kyçe në përpjekjet për modernizimin dhe profesionalizimin e institucioneve shtetërore të Kosovës.