Zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës u trajnuan në përdorimin e GPS dhe dylbive digjitale për pylltari
27.04.2023Prishtinë, 27 prill - Në terrenet e Parkut Nacional të Blinajës më 25 dhe 26 Prill u trajnuan 44 zyrtarë të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për përdorimin e GPS-it dhe dylbive digjitale për pylltari. Trajnimi u organizua në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumë-qëllimor të pyjeve për përmirësimin e jetës rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe që po zbatohet nga FAO.
12 GPS dhe 50 dylbi për vëzhgim gjatë natës janë një pjesë e pajisjeve të dhuruara nga programi për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. Gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit morën informacione rreth përdorimit të GPS-it dhe dylbive dhe shfrytëzimit të tyre në aktivitete pyjore, siç janë: shenjëzimi digjital i vendeve ku zhvillohen operacioneve pyjore, matjet e sipërfaqeve pyjore dhe rrugëve pyjore, vëzhgimi fotografimi dhe incizimi i aktiviteteve pyjore gjatë natës përmes dylbive me rreze infra të kuqe.
Pajisjet e dhuruara dhe trajnimi i zhvilluar do t’ju ndihmojë zyrtarëve të APK-së për monitorim dhe parandalimin aktiviteteve të paligjshme, monitorimin e florës dhe faunës, identifikimin dhe monitorimin e zjarreve pyjore, operacione të kërkim shpëtimit, e shumë funksione tjera që mundëson shfrytëzimi I këtyre pajisjeve në pylltari.