Ministri Peci viziton plantacione pemëtare në Anamoravë
24.06.2023Prishtinë, 24 qershor 2023 - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë kësaj të shtunë vizitoi aktivitetin bujqësor e pemëtar të bashkëshortëve Meritës dhe Enverit në fshatin Zhiti e Kravaricë të komunës së Vitisë dhe Gjilanit. Merita është përfituese e grantit në vlerë prej 100,000.00 Euro për investime në makineri dhe infrastrukturë për pemishte. Që nga viti 2013, të dy bashkëshortët kanë ngritur 5.6 hektarë me 4 varietete të mollës (e gjelbër, delishes e artë, fuji dhe gala) në fshatin Kravaricë. Përgjatë 3 hektarëve kanë instaluar sistemin anti-breshër dhe atë të ujitjes pikë-pikë.
Me këtë rast, Ministri Faton Peci duke parë pasionin për punë dhe dashurinë e qiftit për punën në bujqësi tha se Merita dhe Enveri mbeten një ndër qiftet më ikonike që kam takuar, pasi nuk lënë pjesë të tokës pa e shfrytëzuar. “Më la përshtypje edhe diçka tjetër. Derisa prisnin që arrat të arrinin fazën e fryteve, mes rreshtave tokën e shfrytëzonin për mbjelljen e fasuleve, misrit dhe qepëve për rreth gjysmë hektari”, tha Ministri Peci.
Nga ana tjetër, Merita dhe Enveri duke filluar që nga 3 vite më parë, plantacionit me mollë i kanë shtuar edhe 2 hektarë me arrë, ndërsa planifikojnë që nga viti i ardhshëm të futen në prodhimtarinë e varietetit të arrës Chandler.