MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Ministri Peci: Po i rrisim investimet në bujqësi

05.12.2023

Prishtinë, 5 dhjetor 2023 – Përmes granteve bujqësore të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural fermerët po i zgjerojnë dhe fuqizojnë veprimtaritë e tyre bujqësore.Suksesin e këtyre investimeve e ka parë nga afër Ministri i MBPZhR-së, Faton Peci, gjatë vizitave të tij në Komunën e Rahovecit, Vushtrrisë dhe Komunës së Pejës.

“Jeton Popaj, nga fshati Bellacërk i Komunës së Rahovecit, vetëm pas tentativës së tretë për aplikim, u shpall përfitues i grantit në vlerë prej 99,810 euro për ndërtimin e serës moderne për prodhimin e perimeve në një sipërfaqe prej 0,50 ha. Edhe pse ka angazhime të tjera, aktivitetin bujqësor e ka primar duke thënë se është një ndër aktivitetet që e ushtron me shumë përkushtim”, tha Ministri Peci, duke theksuar se në këtë mënyrë, Jetoni mbetet një shembull që duhet ndjekur, për ta punuar tokën e për të mos e lënë atë djerrinë.

Krahas këtij fermeri të suksesshëm, Ministri ka vizituar edhe fermerin Lirigzon Ademi në Miraçë të Vushtrrisë, i cili mbarështon rreth 90 krerë lopë e viça për majmëri. “Për ngritje, zgjerim dhe renovim të kapaciteteve ekzistuese të fermës, Ministria e ka mbështetur atë me 98,886 euro grant. Njëherësh ai është përfitues edhe i mekanizmit bujqësor”, ka treguar Ministri Peci.Me këtë rast, ai ka treguar se përmes PZhR 2023 do ta mbështesin prodhimin primar të mishit dhe qumështit përmes Masës 1 në vlerë prej më shumë se 16 milionë euro.

Krahas vizitave tek këta blegtorë, Ministri Peci, ka vizituar edhe fermerët kultivues të pemëve, ku tek Arbneshë Deliaj nga fshati Gorozhdec i Komunës së Pejës, e cila është përfituese e grantit në vlerë prej 99,562 euro për ndërtimin e pikës grumbulluese për perime dhe blerjen e mekanizmave përcjellës për mbledhjen e lajthive, ka parë nga afër veprimtarinë e saj bujqësore dhe suksesin e shënuar ndër vite në këtë sektor.

“Veprimtaria e tyre, përpos kultivimit të rreth 3 hektarëve me lajthi, përbëhet edhe nga procesimi i perimeve si ai i lakrave dhe specave për turshi. Bashkëpunojnë ngushtë me fermerë e kultivues së pemëve, e më konkretisht të me kultivuesit e mollës. Nga ana tjetër, në një sipërfaqe prej 0,50ha kultivon sallatën e gjelbër dhe specin”, tha ai.Ndryshe, përmes Programit për Zhvillim Rural 2023, thirrja e së cilit vazhdon të jetë e hapur deri me 14 dhjetor, Ministri Peci i ka inkurajuar të gjithë bujqit, prodhuesit e përpunuesit tanë që të aplikojnë, ku vlera totale e mbështetjes financiare e këtij programi është 24,6 milionë euro.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31