MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Ministri Krasniqi takon ministrat e Bujqësisë të Sllovenisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi – kërkon rritje të shkëmbimeve tregtare për produktet bujqësore

15.01.2016

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi në kuadër të panairit ‘International Green Week’ në Berlin ka takuar ndaras Ministrin e Bujqësisë të Malit të Zi, Petar Ivanoviq, atë të Bujqësisë në Slloveni, Dejan Židan si dhe Ministrin e Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë, Edmond Panaritin. Bashkëpunimi rajonal për avancimin e sektorit të bujqësisë dhe rritja e shkëmbimeve tregtare mes vendeve të Evropës Juglindore ishin tema të diskutimit që ministri Krasniqi pati në takim me homologët e tij.

Në takim me ministrin Panariti u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve. U theksua se zbatimi i marrëveshjes mes dy vendeve është në rrugë mjaftë të mirë dhe ka sjellë rezultate. Ministri Krasniqi tha se ka ende shumë pika ku mund të bashkëpunohet, në mënyrë vërtetë Kosova dhe Shqipëria të jenë një treg. Ai shtoi se të dy vendet duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në arritjen e standardeve të cilësisë dhe përmbushjes së kritereve të rëndësishme për akreditim në institucionet e BE-së.

Ministri Panariti nga ana e tij shprehi gatishmërinë për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh në zgjidhjen e shumë çështjeve të rëndësishme që janë në funksion të zhvillimit të bujqësisë në të dy vendet dhe forcimit të prodhuesve dhe përpunuesve nga Kosova dhe Shqipëria. Në takim me ministrin e Malit të Zi, ministri Krasniqi tha se bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve në bujqësi dhe shkëmbime tregtare ka qenë i kënaqshëm por shfaqi nevojën që ky bashkëpunim të rritet dhe të eliminohen barrierat që mund të ekzistojnë në raportet tregtare për produktet bujqësore mes dy vendeve. Ministri Krasniqi tha se Ballkani mund të jetë një treg i hapur pasi kjo do të ishte në dobi të te gjitha vendeve.

“Mali i Zi dhe Kosova kanë shumëçka që i bashkon dhe bashkëpunimi duhet të rritet. Secili nga ne kemi produktet unike dhe në këtë drejtim, duhet të bashkëpunojmë dhe ndihmojmë njëri tjetrin që të arrijmë të avancojmë bujqësinë, për të rritur raportet kontratktuale mes agrobizneseve, dhe për të sjellë para konsumatorëve të te dy vendeve prodhime cilësore”, tha ministri Krasniqi në takim me homologun nga Mali i Zi.

Nga ana e tij, ministri malazez, Petar Ivanoviq tha se vendi i tij është shumë i interesuar të bashkëpunoj me Kosovën në fushën e bujqësisë. Edhe ai ishte i pajtimit që Ballkani të punojë në eliminimin e barrierave tregtare dhe të jetë një treg i hapur në dobi të të gjithë vendeve. Ivanoviq shtoi se Mali i Zi është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në fushat ku tashmë ka një traditë por edhe të kërkojë nga Kosova përvoja dhe ndihmë në avancimin e sektorit të bujqësisë. Të dy ministrat u pajtuan që të ketë vizita të ndërsjella dhe të shohin mundësitë për nisma konkrete mes dy vendeve në fushën e bujqësisë.

Në takim me ministrin slloven të bujqësisë, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit për avancimin e politikave bujqësore. Ministri Krasniqi prezantoi para homologut slloven të arriturat në bujqësi në Kosovë si dhe sfidat për të ardhmen. Ai theksoi se Sllovenia është një partner shumë i mirë ekonomik dhe politik i Kosovës dhe falënderoi ministrin Zidan për përkrahjen që shteti i tij i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. Në këtë drejtim ministri Krasniqi kërkoi që Sllovenia dhe afaristët nga ky vend të shtojnë interesimin për prodhimet nga Kosova.

Nga ana e tij, ministri slloven, Dejan Židan informoi ministrin Krasniqi për politikat bujqësore në slloveni. Ai vlerësoi të arriturat që ka shënuar Kosova në këtë sektor dhe çmoi faktin që po i jepet gjithherë një rëndësi më e madhe. Židan shfaqi gatishmërinë e qeverisë së tij që të mbështesë Kosovën në avancimin e politikave bujqësore.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30