Ministri Faton Peci: Politikat e MBPZhR-së po adresohen në harmoni me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së
25.02.2022Prishtinë, 25 shkurt 2022 - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë sot në mbledhjen e katërt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, e cila është kryesuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë këtij takimi, Ministri Peci ka prezantuar hapat institucionale që i kanë ndërmarrë në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA-ja në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian. Ai ka treguar se MBPZhR-ja për t’i përmbushur detyrimet në përafrimin e kornizës ligjore me atë të BE-së dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ka miratuar Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ushqimin, Projektligjin për Pijet e Forta Alkoolike, si dhe Projektligjin për Pyjet.
Ndërkaq, sa i përket kornizës së politikave, ai tha se MBPZhR-ja ka hartuar dokumente që synojnë modernizimin dhe ristrukturimin e sektorit të bujqësisë dhe sektorit agro-industrial në Kosovë, siç janë Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, Programi vjetor për Zhvillim Rural, Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, Programin për Pagesa Direkte, Koncept Dokumentin për Tokën bujqësore, Strategjinë për Zhvillimin e Sektorit të Pylltarisë 2021-2030, si dhe Planin e Veprimit për Parandalimin e Prerjeve Ilegale. Të gjitha këto masa, sipas Ministrit Peci përfshijnë fusha prioritare sipas kërkesave të MSA-së, që përafrojnë legjislacionin me atë të BE-së.
Po ashtu, gjatë këtij takimi ai ka treguar se MBPZhR-ja në Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ( PKZMSA) ka adresuar masat konkrete vjetore për zbatimin e reformave të dala nga mbledhjet e strukturave të Stabilizim-Associmit, Nënkomitetit për Bujqësi dhe Peshkatari.
“Korniza e politikave PKZMSA 2022 parashef përmirësimin e politikave të tokës, përmasimin e politikave të bujqësisë dhe zhvillimit rural, po ashtu edhe përmirësimin e mëtejmë të politikave veterinare, fitosanitare, përmirësimin e mbrojtjes së shëndetit publik dhe shëndetit të kafshëve”, ka thënë Ministri Peci.
Ndryshe, në këtë mbledhje është miratuar në parim Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022-2026.