MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Mbështetja e MBPZhR-së, po shton sipërfaqet me mjedër, një pemë me potencial të madh

18.08.2015

Prishtinë, 18 gusht 2015 – Mbështetja financiare e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe partnerëve ndërkombëtarë për kultivuesit e mjedrave, ka ndikuar në shtimin e sipërfaqeve të mbjella me këtë kulturë. Nga rreth 23 hektarë që ishin të mbjellë në vitin 2013, vitin e kaluar sipërfaqet e mbjella më këtë pemë arritën në 130 hektarë, si dhe me një prodhimtari vjetore deri në 580 ton. Kjo sipërfaqe dhe rendimentet pritet të rriten këtë vit. Përkrahja e ministrisë për këta prodhues është duke vazhduar edhe sivjet  përmes granteve investive, dhe për herë të parë nga ky vit edhe përmes subvencioneve, të cilat përveç shtimit të prodhimtarisë po ndikojnë edhe në shtimin e cilësisë së këtyre prodhimeve.

Për të promovuar edhe më shumë mjedrën, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, bashkë me drejtorin e USAID-it në Kosovë, James Hope vizituan sot kultivuesit e mjedrës në “Panarin e mjedrave”, i cili është hapur sot në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë.

Ministri Krasniqi tha se mjedra është me potencial të madh në Kosovë dhe tashmë ministria e ka në fokus të veçantë.

“Përfitimet  e fermerëve janë shumë të mëdha dhe ne si ministri në partneritet me miq dhe partner ndërkombëtarë do të vazhdojmë ta mbështesim këtë sektor të rëndësishëm dhe me fokus të veçantë tek pemët manore tek mjedra dhe të gjitha ato  pemë të cilat me të vërtetë e rrisin prodhimtarinë e zëvendësojnë importin dhe sjellin përftime për fermer, duke rritur vendet e punës dhe duke ndihmuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”, tha ai, teksa ka falënderuar USAID-in për përkrahjen e bujqësisë, në veçanti në promovim dhe ekspertizë. “MBPZHR-ja edhe këtë vit ka filluar me projekte të reja, duke përfshirë edhe subvencionimin për herë të parë për pemishtet ekzistuese, me 400 euro për hektarë, kemi dhënë mbi 1 milion euro për pemët manore, për të ngritur pemishte të reja, mbi 1.5 milionë euro për përpunimin e pemëve dhe perimeve  dhe ky buxhet do të vazhdojë të jetë r edhe më i madh në vitet e ardhshme gjë që besoj se do të rrisë konkurrueshmërinë e prodhuesve tonë, cilësinë e prodhimeve tona dhe do të ndihmojë edhe në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik”, shtoi ministri.

Ndërkaq drejtori i USAID-it, James Hope tha se janë të lumtur që në Kosovë në vazhdimësi po zhvillohen sektorë të ndryshëm në bujqësi dhe po kultivohen produkte të reja.

“Kjo mbështetje e USAID-it ka të bëjë me sjelljen e varieteteve të reja, me sjelljen e  teknologjisë së re, mënyrave të reja të paketimit, si dhe plasimit në treg. Dhe sikurse edhe tha ministri kjo ka sjellë deri te një sasi dhe cilësi më e madhe e kësaj kulture. Gjithashtu ka sjellë shitje më të mëdha, pra kemi trefishuar shitjen dhe gjithashtu kemi edhe eksporte drejt tregjeve të BE-së.

Ky është një simbol shumë i fuqishëm i potencialit të cilin e  ka sektori i bujqësisë në Kosovë dhe ne jemi shumë krenar që kemi një partneritet me fermerët dhe MBPZHR-në në mënyrë që t’i japim një shtytje përpara zhvillimit ekonomik dhe bujqësisë në Kosovë”, tha ai.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30