Mbahet punëtoria e tretë e rrjetit të Menaxhimit të Zjarrit në Natyrë në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë, 22 nëntor – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural organizoi punëtorinë e tretë me radhë në kuadër të programit Menaxhimi i Zjarrit në Natyrë për Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt dje në Prishtinë, i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim - SDC, koordinohet nga kompania Farmahem nga Shkupi, Maqedonia e Veriut, me mbështetjen e Helvetas Swiss Intercooperation nga Zvicrra dhe Qendra Rajonale e Monitorimit të Zjarrit (RFMC).
Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi i Draft Raportit mbi Menaxhimin e Zjarrit në Natyrë duke përfshirë Udhëzimet për Menaxhimin e Zjarrit në Republikën e Kosovës, gjithashtu edhe procesi i përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për MZN, dhe të definojë vizionin dhe qëllimin e përgjithshëm të Strategjisë.
Punëtorinë në nivel vendi të organizuar dhe moderuar nga Arlinda Gashi, u hap nga Tahir Ahmeti, Drejtor i Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR i cili tha se qëllimi i këtij programi është të inkurajojë bashkëpunimin rajonal, të krijojë politika të përbashkëta, të zhvillojë strategji dhe udhëzime për menaxhimin e zjarrit në natyrë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe të përcaktojë rolin e të gjitha palëve të interesit në Republikën e Kosovës.
Nga ana e tij, Udhëheqësi i ekipit të programit të Menaxhimit të Zjarrit në Natyrë në vendet e Ballkanit Perëndimor, Cvetan Nikolovski u shpreh se përkrahja dhe angazhimi i të gjithë palëve të interesit është i nevojshëm për zbatimin me sukses të programit, i cili është qëllimi i përbashkët.
Në këtë punëtori ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ambasada e Zvicrës, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë me përfaqësuesen e saj, Ardiana Efendija Zhuri, Këshilltari i Ministrit të MBPZHR, Albert Behrami, si dhe rreth 20 përfaqësues nga institucionet si palë kyqe të programit për menaxhimin e zjarrit në natyrë, duke përfshirë shkencën, praktikat dhe politikën.
Theksojmë se faza e parë është projektuar të zbatohet nga 01.02.2022 deri më 31.08.2025. Menaxhimi i Zjarrit në Natyrë në Ballkanin Perëndimor synon të nxisë bashkëpunimin rajonal, të krijojë politika të përbashkëta dhe të zhvillojë strategji dhe udhëzime të Menaxhimit të Zjarrit në Natyrë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky program përdor një qasje pjesëmarrëse që përfshin në proces popullatën lokale, promovon barazinë gjinore dhe forcon më tej ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e ruajtjen e burimeve natyrore.