MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Mbahet konferenca "Rishikimi i përbashkët Vjetor për Sektorin e Pylltarisë"

15.06.2023

Prishtinë, 15 qershor 2023 - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO mbajtën konferencën bashkëpunuese, të organizuar në kuadër të projektit të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ambasada e Suedisë që mbështet Programin e Pylltarisë në Kosovë, të zbatuar nga FAO. Kjo konferencë mblodhi pjesëmarrës kyçë nga sektori i pylltarisë, të cilët patën rastin të diskutojnë dhe vlerësojnë progresin e sektorit, të identifikonte prioritetet dhe të adresonte sfidat dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm. 

Në fjalimin e tij hyrës, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ndau informacione rreth avancimeve dhe sfidave të sektorit. Ministri Peci theksoi rolin jetik të praktikave të pylltarisë së qëndrueshme në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovë dhe njëkohësisht theksoi potencialin e Kosovës për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve dhe arritjet ligjore siç janë Ligji i Pyjeve dhe Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë. "Falë bashkëpunimit të mirëfilltë dhe vizionit të përbashkët, kemi arritur të fokusohemi siç duhet në pylltari", shtoi mes tjerash z. Peci.

Alessandro Bianciardi, Zëvendës shef i Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, theksoi mbështetjen financiare të rëndësishme të BE-së prej 1.5 milionë euro për Programin e Pylltarisë për Menaxhim të Qëndrueshëm të Pyjeve në Kosovë. Z. Bianciardi theksoi përgjegjësinë kolektive për zbulimin dhe adresimin e praktikave të paligjshme për të ruajtur integritetin e ekosistemeve të pyjeve dhe për të mbrojtur biodiversitetin e tyre të çmuar. "Në përkushtimin tonë të përbashkët, jemi të angazhuar për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të pylltarisë së Kosovës. Përmes bashkëpunimit të përbashkët dhe efektiv për zbulimin e praktikave të paligjshme, mund të ruajmë integritetin e ekosistemeve të pyjeve dhe të mbrojmë biodiversitetin e tyre të pasur," deklaroi z. Bianciardi.

Nga ana e tij, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas B. Westerlund ofroi një pasqyrë të situatës aktuale në sektorin e pylltarisë, duke theksuar potencialin socio-ekonomik dhe sfidat me të cilat përballet. Ambasadori Westerlund theksoi rolin kritik të qeverisjes së pyjeve, ligjit të miratuar së fundmi për pyjet, dhe strategjive të lidhura në arritjen e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve. "Duhet të ndërmarrim kolektivisht përpjekje për të mbrojtur vlerat kritike dhe për të ruajtur integritetin për brezat e ardhshëm, prandaj duhet të luftojmë pylltarinë e paligjshme," deklaroi Ambasadori Westerlund. Ai theksoi perspektivën për rritjen e kapacitetit teknik të Agjencisë së Pylltarisë së Kosovës, zbatimin e strategjive efektive të rekrutimit, dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi mbrojtjen e pyjeve për të maksimizuar potencialin e këtyre burimeve natyrore. Ambasadori Westerlund lavdëroi Programin e Pylltarisë të FAO-së, të mbështetur nga Suedia dhe BE, për përpjekjet e tij në përmirësimin e jetesës rurale dhe adresimin e ndryshimit klimatik në Kosovë, duke shprehur kënaqësi për partneritetin me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Zhvillimit Rural.

Dita e parë e konferencës u mbyll në një ton pozitiv, me pjesëmarrësit që ofruan reagime inkurajuese, duke nënvizuar angazhimin e tyre kolektiv për zhvillim të qëndrueshëm brenda sektorit të pylltarisë. Dita e dytë e rishikimit do të vazhdoj me diskutime dhe partneritete të synuara për të adresuar mundësitë dhe sfidat që përballet sektori i pylltarisë.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30