MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Kompensim i pjesshëm i dëmeve të shkaktuara në bujqësi gjatë muajit janar

06.04.2016

Kabineti qeveritar ka aprovuar sot propozimin e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi që të bëhet kompensim i pjesshëm i dëmeve të shkaktuara në bujqësi gjatë muajit janar të këtij viti.

Me poshtë gjeni fjalën e ministrit gjatë mbledhjes së qeverisë:

I nderuari z. Kryeministër,

Të nderuar Zëvendës Kryeministra, Ministra, Zëvendës Ministra,

Siç jeni të informuar, në fillim të muajit janar të këtij viti, nga reshjet e shiut dhe erërat e forta janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomitë bujqësore në disa komuna të Kosovës.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si çdo herë kur ka fatkeqësi natyrore, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët përkatës të komunave të prekura dhe ka kërkuar raporte zyrtare për dëmet e shkaktuara në bujqësi. Po ashtu, zyrtarët tanë kanë dalë edhe në terren për të parë nga afër gjendjen dhe për të bërë vlerësime bashkë me zyrtarët komunal.

Për shkak të mungesës së një fondi të veçantë për kompensim të dëmeve të shkaktuara në bujqësi, në kuadër të Ministrisë apo edhe në nivel qeveritar, kompensimi i dëmeve asnjëherë nuk është bërë me rregull, përveç në rastet kur ato janë mbuluar pjesërisht me mjete nga fondi  rezervë i Qeverisë.

Në këtë frymë, kam propozuar që edhe këtë vit, për dëmet e shkaktuara në muajin janar të bëhet kompensimi i pjesshëm në vlerën prej 25 % të vlerës totale të dëmeve të shkaktuara. Sipas raporteve që ne kemi pranuar nga 11 komuna (Malisheva, Suhareka, Rahoveci, Lipjani, Prizreni, Gjakova, Shtimja, Skenderaji, Ranillugu, Mitrovica dhe Drenasi), vlera totale financiare e dëmeve të shkaktuara në bujqësi rezulton të jetë 637,901 €. Rrjedhimisht, shuma e ndarë për kompensim është propozuar që të jetë 159,480 €.

E ritheksoj se kjo vlerë është e bazuar në raportet e vlerësimit të dëmeve bujqësore që kanë përgatitur komunat e dëmtuara nga vërshimet dhe erërat e forta gjatë muajit janar.

Po ashtu, dua të sqaroj se ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me komunat edhe në lidhje me dëmet e shkaktuara në bujqësi nga vërshimet që ndodhen gjatë muajit mars. Zyrtarët tanë janë në terren dhe po presim që drejtoritë përkatëse komunale të dorëzojnë raportet finale të vlerësimit të dëmeve në ditët e ardhshme, ashtu që të shqyrtojmë mundësitë për kompensim të pjesshëm të dëmeve në bujqësi edhe për këto raste.

Më lejoni të përfundoj duke ju njoftuar se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po punon në krijimin e një fondi të veçantë për kompensim të pjesshëm të dëmeve në raste të fatkeqësive natyrore, si pjesë e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që miratohet çdo vit. Planifikimi ynë është që ky fond të jetë i hapur për aplikim gjatë gjithë vitit, kurdo që të ketë raste të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, bazuar në procedurat dhe kriteret që tashmë janë duke u finalizuar.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe shpresoj në miratimin tuaj për këtë propozim.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31