MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Krasniqi: Bujqësia, ndër sektorët më përfitues nga MSA-ja

10.11.2015

Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi, ka thënë se nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) bujqësia është ndër sektorët kryesor që do të ketë përfitime.

Krasniqi ka thënë se me këtë marrëveshje prodhimet tona bujqësore do të eksportohen tashmë në një treg 500-milionësh. “Ka prodhime nga Kosova që janë të pranishme në tregun evropian, por me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim prodhuesit dhe përpunuesit tanë do të kenë mundësi të reja që produktet e tyre t’i shesin në tregjet e Bashkimit Evropian (BE), duke përfituar nga lehtësirat doganore dhe masat e tjera preferenciale”, është shprehur ai.

Ministri Krasniqi në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, ka bërë me dije se mbi 2 500 produkteve bujqësore do t’u hiqen tarifa doganore, duke bërë kështu që të rriten edhe investimet e huaja në bujqësi. “Janë mbi 2 500 produkte bujqësore për të cilat do të hiqen tarifat doganore të BE-së dhe për një pjesë të tyre si, p.sh. për verërat, do të rriten dukshëm kuotat e eksportit pa tarifa nga Kosova në BE. MSA-ja do ta hapë mundësinë edhe të investimeve të huaja direkte në bujqësi, meqë investitorët potencialë tashmë do të kenë mundësi të qasjes në një treg qindra herë më të madh sesa tregu i Kosovës”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se kjo do ta rrisë punësimin në sektorin e bujqësisë dhe do ta rrisë konkurrencën.

I pyetur nëse prodhon Kosova produkte të cilat i plotësojnë të gjitha kushtet e BE-se, ai është përgjigjur se ka produkte të cilat i përmbushin standardet evropiane të cilësisë, por ka ende punë në këtë drejtim, në mënyrë që të gjithë prodhuesit të arrijnë cilësinë që kërkohet në tregun evropian. Ndërkaq sa iu përket produkteve që kanë përparësi krahasuese në tregun evropian, ministri Krasniqi ka deklaruar se mjedrat, dredhëzat, patatet, produktet e përpunuara nga pemët dhe perimet, verërat etj., janë produktet potenciale të eksportit. “Këto produkte, por edhe të tjera, që po tregojnë rritje të vazhdueshme të prodhimit dhe cilësisë, janë ato që do të mund të gjejnë treg të mirë në Evropë”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, çfarë rëndësie ka Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) për sektorin e bujqësisë?

Krasniqi: Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) hap një kapitull të ri për Kosovën dhe rëndësia, në veçanti për ekonominë e Kosovës, është tejet e madhe. Në këtë drejtim bujqësia, si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë sonë dhe që ka arritur një zhvillim të rëndësishëm nëpër vite, do të jetë nga përfituesit kryesore. Me këtë marrëveshje prodhimet tona bujqësore pritet të jenë produktet kryesore që do t’i eksportojmë tashmë në një treg 500-milionësh. Ka prodhime nga Kosova që janë të pranishme në tregun evropian, por me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim prodhuesit dhe përpunuesit tanë do të kenë mundësi të reja që produktet e tyre t’i shesin në tregjet e Bashkimit Evropian, duke përfituar nga lehtësirat doganore dhe masat e tjera preferenciale. Për mua ky është një lajm i shumëpritur dhe që duhet të na japë secilit vullnet edhe më të madh për punë. Kjo mundësi, përveç lehtësirave në eksport, qasjes në një treg qindra milionësh, ka edhe efekte të tjera anësore që ndikojnë në zhvillimin e sektorit, se
se prodhuesit dhe përpunuesit tanë kanë më shumë mundësi për bashkëpunime profesionale me kompani nga vende të ndryshme evropiane, por edhe do të jenë të shtyrë të punojnë më shumë në cilësinë dhe marketingun e produkteve, që është një nga elementet kryesore për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e tyre. Kjo gjë na bën edhe neve më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për rritjen dhe zgjerimin e mbështetjes për sektorin në përgjithësi.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”) 

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31