REPUBLIKA E KOSOVËS MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

MBPZHR-ja rritë mbështetjen për bujqësinë, pylltarinë dhe zhvillimin rural për vitin 2018

14.12.2017

Prishtinë, 14 dhjetor 2017 - Ministria e Bujqësisë në forma të ndryshme mbështetë sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, por dy instrumentet më të rëndësishme të politikave të ministrisë janë Programi i Zhvillimit Rural dhe Programi i Pagesave Direkte. Kështu është shprehur ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo në hapjen e konferencës “Për bujqësi të qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë”, ku kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, përfaqësuesi special i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Bruso, si dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve ndërkombëtare që mbështesin sektorin bujqësor në Kosovë.

Ministri Rikalo theksoi se Programi i Zhvillimit Rural dhe ai i Pagesave Direkte, kanë shënuar rritje të vazhdueshme nga viti në vit. “Për këto dy programe në vitin 2016 vlera e mbështetjes arrinte në 46 milionë euro, ndërkaq ky trend i rritjes do të vazhdojë dhe në vitin 2018 pritet të jetë 47.8 milionë euro. Pra përmes këtyre investimeve në këtë sektor ne forcojmë dhe zgjerojmë prodhimin primar, agro-përpunimin dhe diversifikimin e aktiviteteve në fermat tona ", tha ministri Rikalo.

Ai ka treguar se që nga viti 2007, ku buxheti ishte 6.3 milionë euro, kanë arritur të sjellin rezultate të mëdha në rritjen e buxhetit nga viti në vit . “ Në vitin 2017  buxheti total i ministrisë arriti në 57.6 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 do të arrijë 60 milionë euro ", ka thënë ministri Rikalo.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, theksoi se Qeveria e Kosovës i kushton vëmendje të veçantë sektorit bujqësor dhe kjo sipas tij konfirmohet me rritjen e buxhetit për këtë sektor nga viti në vit.

“Qeveria me vëmendje të veçantë ndjek sektorin e bujqësisë, vlerëson shumë burimet e pylltarisë dhe do të japë kontributin maksimal në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë”, tha Haradinaj, duke shtuar se sektori i bujqësisë siguron një hapësirë të jashtëzakonshme për punësim nëpërmjet stimulimeve për prodhuesit vendorë.

Ai përgëzoi MBPZHR-në për organizimin e konferencës, e cila me këtë rast ka shpalosur punën e bërë gjatë këtij viti dhe ka prezantuar edhe planin e punës për vitin e ardhshëm. Me këtë rast, kryeministri falënderoi të gjithë partnerët dhe organizatat që mbështesin zhvillimin e bujqësisë, si Komisionin Evropian ashtu edhe USAID-in.

Ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo falënderoi institucionet ndërkombëtare, partnerët dhe organizatat që mbështesin zhvillimin dhe përmirësimin e prodhimit bujqësor dhe tha se kjo ministri do të vazhdojë të implementojë politikat e programit zhvillimor, duke ndikuar kështu në forcimin e sektorit bujqësor, zhvillimin rural dhe menaxhimin më efikas në sektorin e pyjeve.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Bruso, ka vlerësuar se sektori i bujqësisë ka shënuar progres në zhvillim në vazhdimësi.

“Që nga viti 2007, ne kemi ofruar më shumë se 50 milionë euro në mbështetje të zhvillimit bujqësor, i cili ka kontribuar në përmirësimin e bujqësisë dhe krijimin e një politike të përbashkët bujqësore me standardet dhe objektivat e BE-së”, tha ai, duke shtuar se BE-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe mbështesë përmes granteve të reja në shumën prej 8.8 milionë euro.

Me planin e punës të parashikuar për vitin e ardhshëm, MBPZHR-ja ka prezantuar edhe dy masa të reja mbështetëse për fermerët, atë për Financimin e Projekteve Bujqësore Kapitale dhe Zhvillimit Rural në nivel rajonal. Në mënyrë që të thjeshtësohet procesi i aplikimit të fermerëve për grante dhe subvencione në qëllimin e disponueshmërisë dhe transparencës, do të kalohet nga sistemi manual në sistemin online. Për të siguruar mbështetje për prodhuesit bujqësorë në secilin segment të punës dhe interesave, MBPZHR –ja do të hapë “Zyrën e Reagimit të Shpejtë" , që i përgjigjet çdo kërkese brenda 48 orëve.

Në pjesën e punës së konferencës, drejtuesit e Departamenteve të ndryshme në MBPZHR paraqitën programet për vitin e ardhshëm, përmes te cilave do të ofrohet mbështetje për zhvillimin bujqësor dhe rural.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31

KOSOVO IN UNESCO