Zhvillohet metodologjia për hartimin e planeve menaxhuese shumëqëllimore të pyjeve

Prishtinë, 19 tetor 2021 - Programi i FAO-s për pylltari, i financuar nga Ambasada Suedeze, po e mbështetë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për zhvillimin e metodologjisë për hartimin e planeve menaxhuese shumëqëllimore.
Versioni i parë i këtij plani u prezantua sot gjatë një takimi ndërmjet ekspertëve të FAO-s dhe stafit profesionit të Departamentit të Pylltarisë në MBPZHR e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Ekspertja ndërkombëtare e FAO-s për planet menaxhuese, Mariam Matti ka prezantuar para pjesëmarrësve draft metodologjinë për hartimin e planeve menaxhuese shumëqëllimore të pyjeve të Kosovës. Këto plane kanë për qëllim të mbështesin institucionet e Kosovës në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe të kontribuojnë në menaxhimin e pyjeve në përputhje me praktikat e përgjithshme në vendet e Bashkimit Evropian.
Ajo theksoi se menaxhimi shumëqëllimor ofron një spektër të gjerë të përfitimit nga produkteve me bazë pyjore duke përfshirë prodhimet e dyta pyjore, zhvillimin e ekoturizmit dhe shërbime të dobishme për qytetarët, ndërsa theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve në këtë proces, përfshirë autoritet pyjore, ndërmarrësit, organizatat e shoqërisë civile, fermerët si dhe përdoruesit e pyjeve.
Drejtori i Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR-së, Tahir Ahmeti falënderoi FAO-n për mbështetjen që po i ofron institucioneve të Kosovës në përgatitjen e planeve menaxhuese shumëqëllimore të pyjeve, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori.
Pas diskutimeve me stafin profesional të MBPZhR-së dhe Agjencisë Pyjore të Kosovës, ekspertët e FAO-s pritet të finalizojnë metodologjinë e hartimit të planeve menaxhuese, në mënyrë që stafi profesional në Ministri dhe APK të mund të fillojnë përgatiten e këtyre planeve sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.