Thellohet bashkëpunimi Kosovë - Turqi në sektorin e pylltarisë
22.11.2021Kosova dhe Turqia do të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në sektorin e pylltarisë përmes projekteve të përbashkëta në këtë sektor. Kjo i është konfirmuar Zëvendës Kryeshefit të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Bekim Hoxha gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën e Turqisë, me ç’rast është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Pyjeve të Turqisë, Mustafa Ôzkaya.
Gjatë këtij takimi, Zëvendës Kryeshefi Hoxha ka prezantuar para Drejtorit Ôzkaya, zhvillimet e fundit në sektorin e pylltarisë, duke e njoftuar edhe për masat e ndërmarra përmes avancimit të legjislacionit kombëtar, me qëllim të ngritjes së kontributit të sektorit pyjor në zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke theksuar rolin e rëndësishëm që këta sektorë kanë në ekonomitë e të dy shteteve dhe duke marrë parasysh rëndësinë e bashkëpunimit bilateral për zhvillimin e sektorit të pylltarisë, gjatë këtij takimi ata u dakorduan që në të ardhmen në këtë drejtim ta nënshkruajnë edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes dy Agjencive Shtetërore.
“Bashkëpunimin në mes të dyja Agjencive do ta vazhdojmë duke e fuqizuar atë në fushën e krijimit të kadastrit pyjor, fuqizimin dhe krijimin e një fidanishte me farërat autoktone, si dhe do të koordinojmë veprimet për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në parandalimin e prerjeve ilegale, duke përfshirë këtu menaxhimin dhe monitorimin e qëndrueshëm të pyjeve”, ka treguar Zëvendës Kryeshefi i APK-së, Bekim Hoxha.
Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Pyjeve të Turqisë, Mustafa Ôzkaya, e ka njoftuar Kryeshefin Hoxha me zhvillimet e fundit në sektorin e pyjeve, dhe konfirmoi gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja shteteve në sektorin e pylltarisë, duke pasur parasysh edhe aspektin që Turqia konsiderohet si njëri prej shteteve më të fuqishme në botë në sektorin e pyjeve, me rreth 22 milionë hektarë pyje