Sekretarja Çerkini për vizitë zyrtare në Itali
18.11.2024Prishtinë, 18 nëntor 2024 - Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini po qëndron për një vizitë zyrtare në Itali, ku është duke marrë pjesë në vizitën studimore me temën “Avancimi i qeverisjes së menaxhimit të ujitjes dhe inovacionit për sigurinë e ujit”.
Kjo vizitë është organizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi dhe Rehabilitimi i Sistemeve të Ujitjes në Kosovë (IRIS), i financuar nga Banka Botërore dhe Komisioni Evropian dhe për qëllim ka rritjen e efikasitetit të përdorimit të ujit për ujitje dhe rritjen e prodhimit bujqësor në zonat që mbështeten në kuadër të këtij projekti.
Në kuadër të kësaj vizite, Sekretarja Çerkini ka vizituar edhe Institutin Agronomik Mesdhetar të Barit të Italisë, ku është takuar me udhëheqësit e këtij Instituti, me të cilat ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, me qëllim të shkëmbimit të përvojave më të mira bujqësore në mes të dyja vendeve.
Me këtë rast, Sekretarja e MBPZhR-së, Venera Çerkini i ka njoftuar ata edhe me investimet që janë bërë viteve të fundit përmes projekteve për ujitjen e tokave bujqësore, përmes të cilave theksoi se synojnë krijimin e kushteve më të mira për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë lokale.
Ajo ka theksuar se edhe përmes kësaj vizite synojnë që të marrin praktikat më të mira dhe më të avancuara të ujitjes dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, që janë të domosdoshme për zhvillimin dhe avancimin e bujqësisë në vend.
Ndër tjerash, Sekretarja Çerkini ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen që kanë dhënë në vazhdimësi për sektorin e bujqësisë, duke e vlerësuar se kjo mbështetje ka sjellë rezultate mjaft konkrete dhe të rëndësishme.
Ndryshe, në kuadër të kësaj vizite, do të organizohen aktivitete dhe trajnime për shkëmbimin e njohurive për praktikat më të mira në ujitjen e tokave bujqësore.