Sekretarja Çerkini: MBPZhR e përkushtuar në parandalimin e punës së fëmijëve në bujqësi

Prishtinë, 31 tetor 2023 – Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë,Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini, mori pjesë në ngjarjen zyrtare të Lansimit të vlerësimit të shpejtë të punës së fëmijëve në bujqësi dhe mbyllja e projektit të ILO-s MAP 16 e cila u mbajt në Hotel International Prishtina në Prishtinë. Kjo ngjarje u realizua në kuadër të projektit “Masat, ndërgjegjësimi dhe përfshirja e politikave në përshpejtimin e veprimeve kundër punës së fëmijëve dhe punës së detyruar (MAP 16)” i cili kishte për qëllim reflektimin mbi arritjet e përbashkëta dhe për të projektuar intervenimet pasuese për parandalimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve në Kosovë, ndër to edhe punët në sektorin e bujqësisë.
Zv. Sekretarja Çerkini që ishte pjesë e panelit në këtë aktivitet, në fjalimin e saj tha se MBPZhR mbetet e përkushtuar në avancimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural, dhe gjithashtu është e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj në parandalimin dhe ndalimin e punës së rrezikshme të fëmijëve në sektorin bujqësor dhe pylltarisë. “Në përputhje me këtë përkushtim, Ministria ka kërkuar mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për vlerësimin e situatës së punës së fëmijëve në bujqësi. Duke u bazuar në rezultatet e këtij vlerësimi, janë përcaktuar prioritetet e veprimit për tre vitet e ardhshme. Këto prioritete janë të përfshira në një dokument udhërrëfyes të Ministrisë së Bujqësisë, për parandalimin dhe eliminimin e punës së rrezikshme të fëmijëve në sektorin e bujqësisë, blegtorisë dhe pylltarisë", tha znj. Çerkini, e cila njëkohësisht shtoi se politikat dhe programet tona në bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural do të shërbejnë për të parandaluar punën e fëmijëve, zvogëlimin e varësisë së familjeve nga puna e fëmijëve dhe promovimin e mundësive të punësimit të denjë për të rinjtë tanë në zonat rurale.