MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Rishikohet korniza ligjore për përdorimin e produkteve pyjore jo-drunore

26.05.2022

Prishtinë, 26 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Pyjore e Kosovës me mbështetjen e programit për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve që po zbatohet nga  FAO është duke rishikuar bazën ligjore për rregullimin e përdorimit të produkteve pyjore jo-drunore, si njëri prej sektorëve me më së shumti potencial për ekonominë pyjore.

Zëvendës Kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha tha se sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e produkteve pyjore jodrunore që eksporton vendi është 16 milionë euro në vit.

“Korniza ligjore aktuale nuk është e harmonizuar,  andaj me mbështetjen e FAO-s kemi filluar punën për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Përdorimin e Produkteve Pyjore Jo-Drunore”, tha Hoxha gjatë një punëtorie konsultative në të cilën morën pjesë mbi 30 përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të sektorit e pyjor, grumbullues të produkteve pyjore jodrunore dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Udhëheqësi vendor i programit të FAO-s, Naser Krasniqi bëri të ditur se sipas vlerësimit të aspektit ekonomik të sektorit të pylltarisë të bërë së fundi, nënsektori i produkteve pyjore jodrunore me rreth 25 mijë grumbullues dhe më shumë se 50 qendra grumbullimi, ka potencial të jashtëzakonshëm ekonomik. Ndërsa sipas Asociacionit Kombëtar të Pronarëve të Pyjeve Private të Kosovës në vitin 2020, numri i personave që mbledhnin produkte pyjore jo-drunore është rritur për tre herë në raport me vitin 2015.

“Në bazë të këtyre informatave dhe bilancit tregtar mund të konkludohet se ky sektor ofron punësim për mbi 20,000 persona dhe ka potencial ekonomik për zonat malore dhe rurale. Prandaj procesi i hartimit të kornizës ligjore për të rregulluar përdorimin e produkteve pyjore jo-drunore është shumë i rëndësishëm dhe duhet të hartohet me kujdes të madh dhe në bashkëpunim të ngushtë më të gjitha palët e interesit”, theksoi Krasniqi.

Kryesuesi i grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, Kemajl Kadriu nga Departamenti i Pylltarisë në MBPZHR theksoi përkushtimin e Ministrisë për të krijuar bazë të duhur ligjore që mundëson shfrytëzim të kontrolluar dhe të përshtatshëm të produkteve pyjore jodrunore dhe eliminimin e aktiviteteve të paligjshme, duke ofruar njëkohësisht mbështetje institucionale për këtë sektor.

Pjesëmarrësit në këtë punëtori diskutuan çështjet kryesore që duhet të adresohen përmes udhëzimit administrativ, duke filluar me identifikimin e praktikave dhe procedurave për dhënien e  lejeve për grumbulluesit e produkteve pyjore jodrunore, certifikimi dhe tarifat për këto produkte, regjistrimin e grumbulluesve individual si dhe sasinë e lejuar për grumbullim të bimëve mjekësore dhe aromatike.

Hartimi i Udhëzimit Administrativ për përdorimin e produkteve pyjore jodrunore po mbështetet nga ekspertët e program “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, që bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë, ndërsa zbatohet nga FAO.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30