MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Presidenti Thaçi dhe zëvendësministri Krasniqi përcollën fushatën e korrje-shirjeve

11.07.2018

Prishtinë, 11 korrik 2018 – Rendimentet e grurit në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve, ashtu sikurse në vitin e kaluar, janë të mira dhe premtuese për përmbushjen e një pjese të madhe të nevojave të Kosovës me grurë.

Mbarëvajtjen e këtij procesi, e kanë përcjellë për së afërmi edhe Presidenti i  Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me zëvendësministrin e Bujqësisë, Mevludin Krasniqi dhe kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të cilët sot e kanë vizituar fermerin Xhevat Uka, në fshatin Prelez i Jerlive të Komunës së Ferizajt, kultivues i rreth 300 hektarëve me grurë.

Me këtë rast, Presidenti Thaçi, ka uruar fermerët për korrje shirje të mbara gjatë këtij viti. “Korriku është muaji i të korrave të grurit dhe ato tashmë kanë nisur edhe në Kosovë. Është kënaqësi të shikojmë nga afër punën e fermerëve tanë të vyeshëm. Si institucione të vendit, si president i vendit, do të jemi gjithmonë pranë fermerëve, në mbështetje të tyre, për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e tyre. Fermerët tanë po bëjnë punë shumë të mirë dhe jam i bindur se tërë sezoni i korrje-shirjeve të grurit do të jetë i mbarë”, ka thënë Thaçi.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi, ka premtuar se kultivuesit e grurit do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e MBPZHR-së, me qëllim të shtimit të sipërfaqeve të mbjella më grurë. Ai ka treguar se këta kultivues do të përkrahen me nga 150 euro për hektarë të grurit.

“Ministria e Bujqësisë, edhe sivjet është duke i përkrahur me subvencione kultivuesit e grurit dhe ata të drithërave tjera të bardha, ku ekzekutimi i pagesave për këta fermer do të fillojë këtë javë, ndërkaq vlera që do të përfitojnë të gjithë ata fermer që kanë plotësuar kriteret arrin në 9.7 milionë euro”, ka treguar zëvendësministri Krasniqi.

Po ashtu, ai ka thënë se në gjithë territorin e Republikës së Kosovës sivjet janë të mbjellë 74133 hektarë me grurë, nga gjithsej 83515 hektarë drithëra dhe theksoi se sivjet presin që të kenë rendimente prej rreth 300 mijë ton grurë.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se komuna që ai drejton,  me qëllim të zhvillimit të bujqësisë, do të vazhdojë mbështetjen e fermerëve përmes subvencioneve.

Ndryshe, sivjet fushata e korrje-shirjeve, pavarësisht kushteve klimatike është duke vazhduar në shumicën e komunave të vendit dhe deri më tani janë korrur rreth 20 për qind e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31