REPUBLIKA E KOSOVËS MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Ministri Rikalo raportoi në Komisionin Parlamentar për Bujqësi

10.07.2018

Prishtinë, 10 korrik 2018 - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

Ministri gjatë këtij raportimi ka folur për zhvillimet e fundit në sektorin e bujqësisë, e po ashtu edhe për dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe breshërit në kulturat bujqësore.

Ai ka treguar se në bazë të vlerësimeve të para, vlera e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe breshërit në Kosovë arrin vlerën prej 1 milion e 200 mijë euro.

Me këtë rast, ai ka njoftuar se kjo vlerë mund të rritet  me hartimin e raportit përfundimtar të këtyre dëmeve, i cili pritet të bëhet në ditët e ardhshme.

Ministri ka theksuar se mungesa e sistemit raketor kundër breshërit, sigurimeve bujqësore dhe fondit për kompensimin e dëmeve, vazhdojnë të jenë problem kryesor për Ministrinë e Bujqësisë.

“Fondi për kompensimin e dëmeve do të ishte një fond shumë i dëshirueshëm, mirëpo prej vitit 2009 Ministria i ka dorëzuar kërkesën Ministrisë së Financave për këtë por nuk është përgjigjur kurrë pozitivisht në kërkesën tonë. Edhe pse vitet e kaluara kemi paguar disa dëme, asnjëherë nuk kemi pasur një fond specifik në buxhet i cili dot ë ndikonte drejtpërdrejtë në kompensimin e dëmeve të tilla. Normalisht që nuk e kemi as këtë vit, por varësisht kur ta bëjmë rishikimin e buxhetit do të shohim se çka po mbesin mjete dhe të shohim a do të kemi sukses t’i kompensojmë 20 deri 25 për qind të dëmeve të shkaktuara në bujqësi”, ka thënë ministri Rikalo.

Ai ka shtuar se me Bankën Botërore tashmë një vit po punojnë në një projekt për ta futur në bujqësi çështjen e sigurimit dhe kanë ardhur deri te faza kur po përgatitet baza ligjore për këtë.

Ndërsa, për sistemin për mbrojtjen kundër breshërit, Rikalo theksoi se janë duke punuar me një organizatë zvicerane dhe atë model po përpiqen ta vendosin edhe këtu.

Por ky problem, sipas tij, nuk është vetëm i MBPZHR-së, por është çështje edhe e sigurisë, KFOR-it, kontrollit ajror, që do të thotë se nuk varet vetëm nga ta.

Po ashtu, ministri Rikalo iu është përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe  Zhvillim Rural për zhvillimet e fundit në këtë sektor, si dhe është shprehur i gatshëm që të raportojë sa herë që do të ketë ftesë për të raportuar në komision.

“Jam i gatshëm që sa herë të më kërkohet të raportojë në Komision dhe ajo që e kam bërë së pari si ministër, kam thënë do të jem shumë transparent dhe do të luftojë korrupsionin dhe do të jap maksimumin nga vetja. Jam i gatshëm të përgjigjem në krejt këto”, tha Rikalo.    

Me këtë rast, ministri ka treguar se edhe procesin e programeve zhvillimore të ministrisë dhe sipas tij ndarja e granteve dhe subvencioneve do të jetë shumë transparente dhe se të gjithë ata fermer që do t’i plotësojnë kriteret e parapara në Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Programin e Pagesave Direkte do të jenë përfitues të granteve dhe subvencioneve të MBPZHR-së.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
   1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30