Ministri Peci vizitoi Institutin e Pyjeve në Pejë
14.11.2024Prishtinë, 14 nëntor 2024 - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka vizituar Institutin e Pyjeve në Pejë, i cili sipas tij ka avancuar hulumtimet shkencore me teknologjinë e fundit.
Gjatë kësaj vizite, Ministri ka theksuar se Instituti ka një rol të rëndësishëm në monitorimin e shëndetit të pyjeve në Kosovë, duke realizuar hulumtimin, trajtimin e sëmundjeve pyjore, si dhe në prodhimin e fidanëve.
Po ashtu, ai ka treguar se edhe laboratori i këtij Instituti është i pajisur me pajisje të specializuara, duke përfshirë mikroskopë kabinete me sistem filtrimi, autoklava, destilatorë, inkubatorë, matës të lagështisë dhe temperaturës, centrifuga dhe pajisje të tjera të specializuara për analizë të thelluar.
“Një pjesë e rëndësishme e Institutit të Pyjeve është edhe fidanishtja pyjore, e vendosur në Orrobërd me një sipërfaqe prej 10 hektarësh, ku kultivohen fidane të llojeve të ndryshme, të cilat përdoren për pyllëzime masive në mbarë vendin”, ka thënë Ministri Peci.
Krahas kësaj, ai ka thënë se me përkushtimin për të rigjeneruar pyjet dhe për të mbrojtur biodiversitetin e llojeve autoktone, fidanishtja pyjore e Orrobërdes është një aset për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve tona që ndikon direkt në përmirësimin e mjedisit natyror të Kosovës.