Ministri Peci pranë fermerëve të komunës së Vushtrrisë
13.03.2023Daut Kosumi, në serrën e tij prej 0.33 ha ka të mbjellë 30 mijë fije sallate, ku nga këto 7 ari të mbjella me spinaq dhe rreth 70 mijë fije rasad të luleve të ndryshme dekorative. Nga ana tjetër, duke mos lënë anash produktin identifikues të Pestovës, mirëpo as kulturat perimtare, duke kultivuar kështu 5 mijë fije domate dhe 2 mijë fije tranguj, Dauti kultivon edhe 2 hektarë me patate, për të cilat, Ministrit Peci e siguroi se edhe këtë vit përpos subvencionimit të vlerës së akcizës së naftës, do t'i subvencionohet edhe plehërimi me 100 Euro për hektarë.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci u shpreh se tek Dauti shoh bujkun e papërtueshëm e të zellshëm. “Sektori i bujqësisë është në të vërtet një ndër sektorët që ofron edhe kënaqësinë shpirtërore, krahas asaj financiare kur merr shpërblimin e punës së lodhshme përmes fryteve apo thënë ndryshe kur korrë bereqetin”, shtoi Ministri Peci.
Dauti është nga ata bujq që e dëshmon me vepra se bujqësia pos specifikave të saj dhe kënaqësisë, është një aktivitet afarist fitimprurës, pasi që edhe shteti e institucionet gjegjëse, siç është MBPZhR nuk e kanë kursyer përkrahjen sidomos në dy vitet e fundit - si asnjëherë më parë.