Ministri Peci mori pjesë në Forumin e parë Ekonomik të Kosovës në Paris
19.10.2024Prishtinë, 19 tetor 2024 - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka marrë pjesë në Forumin e parë Ekonomik të Kosovës në Paris, i cili është kryesuar nga Kryeministri Albin Kurti.
Gjatë fjalimit të tij, Ministri Peci ka theksuar rëndësinë e investimeve në sektorin e bujqësisë. “Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ku përmes Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2030, synojmë të krijojmë një mjedis miqësor për agrobizneset, duke promovuar inovacionin dhe ekonominë qarkulluese. Qëllimi ynë është të sigurojmë qëndrueshmëri afatgjatë dhe konkurrencë të lartë në tregjet ndërkombëtare”, ka thënë Peci.
Ndërsa, sot gjatë ditës Ministri Peci së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren Rozeta Hajdari, kanë vizituar panairin prestigjioz SIAL Paris 2024, ku Kosova ka një mundësi të veçantë për të promovuar produktet e saj bujqësore.
Ky panair përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të zgjeruar bashkëpunimin tregtar dhe për të lidhur marrëveshje të reja me partnerë ndërkombëtarë.