MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Pyjet, pasuri që duhet ta ruajmë për çdo gjeneratë

20.05.2015

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi tha sot se qytetarët e Kosovës dhe institucionet duhet të shtojnë përpjekjet për të ruajtur pyjet. Këtë mesazh ai e dha sot në nisjen e ‘Javës së Pyjeve’ një aktivitet sensibilizues për mbrojtjen e pyjeve në Kosovë që po realizohet nga MBPZHR-ja dhe FAO, mbështetur edhe nga Ambasada Finlandeze.

Hapja e kësaj jave u bë sot në Sheshin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë, ku fëmijëve të klasave të treta ju dhuruan libra dhe broshura informuese për pyjet dhe rëndësinë që kanë ato për jetën tonë.

Ministri Krasniqi tha se gati gjysma e sipërfaqes së Kosovës është e mbuluar nga pyjet dhe ato duhet ruajtur në mënyrë që t’iu shërbejnë për jetë gjeneratave të reja.

“Ne kemi zgjedhur ta nisim ketë fushatë me fëmijët, të cilët duhet të rriten duke mësuar më shumë për rëndësinë që kanë pyjet, dhe që përmes fëmijëve edhe gjeneratat tjera të edukohen për ruajtjen e pyjeve. Dhe ky sensibilizim duhet të jetë i vazhdueshëm, në mënyrë që brezat pas nesh të kenë një ambient shumë më të mirë të jetës”, tha ministri Krasniqi.

Ai foli për angazhimet që MBPZHR-ja po bën për të ruajtur dhe shtuar sipërfaqet me pyje. Ministri shtoi se para disa javësh ka nisur faza e ripyllëzimit, ku do të mblidhen fidanë në një sipërfaqe prej 300 hektarësh, në gjithë Kosovën. Ai tha se po bëhen përpjekje që sa më shumë të luftohen aktivitetet që dëmtojnë pyjet.

Me ketë rast ai bëri me dije se janë proceduar në polici dhjetëra lëndë për prerje ilegale të pyjeve, dhe kërkoi nga organet kompetente që të zbatohet ligji në këtë drejtim. Ministri shtoi se po punohet edhe në parandalim të zjarreve në pyje, dhe dëmtime tjera. Ai këtu përmendi edhe Memorandumet që MBPZHR-ja ka nënshkruar me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për punësimin e rreth 1000 personave për aktivitete të pylltarisë.

Ministri Krasniqi bëri thirrje që qytetarët kudo që janë të bashkëpunojnë me institucionet qendrore e lokale për ruajtjen e pyjeve, duke raportuar rastet e evidentuara të prerjeve ilegale.

Në muajin mars, MBPZHR-ja nisi edhe një fushatë sensibilizuese rreth pasurive pyjore në Kosovë si dhe ruajtjen dhe shfrytëzimin e tyre në mënyrë të qëndrueshme.

Fushata u orientua përmes emetimit të spoteve publicitare, organizimit të debateve publike dhe shpërndarjes së materialeve të printuara për nxënës dhe qytetarë. Mbi 42 % e territorit të Kosovës është e mbuluar me pyje.

“Java e Pyjeve’ do të vazhdojë edhe me aktivitete të tjera informuese e debutuese me grupe të ndryshme të shoqërisë, në mënyrë që të ngritët vetëdija për ruajtjen e pyjeve.
 

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31