MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Këtë vit rendimente cilësore dhe të larta të mollës

28.09.2015

Molla është produkt i rëndësishëm bujqësor në Kosovë dhe investimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë bërë që të rriten sipërfaqet, të rritet cilësia dhe kështu të mbulohet mbi 60 % e konsumit me prodhim vendor.

Për të promovuar edhe më shumë këtë pemë, sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ishte në fshatin Kovragë të Komunës së Istogut në Ditën e Vjeljes së Mollës. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, përfaqësues të USAID në Kosovë si dhe fermerë të kësaj zone.

Ministri Krasniqi tha se banorët e Kovragës janë nga të parët që kanë nisur në Kosovë kultivimin e mollës në pemishte moderne dhe që kanë qenë shembull edhe për komuna e fshatra të tjera.

Ai shtoi se duke parë potencialet që ka kultivimi i kësaj peme në Kosovë, si dhe punën e madhe të fermerëve, ministria pemët drufrutore i ka vendosur në prioritet strategjike në bujqësi.

“Ne do të vazhdojmë të i arrijmë objektivat tona të përbashkëta, e që janë rritja e sipërfaqeve, rritja e prodhimit, padyshim përmirësimi i cilësisë si dhe zëvendësimi i importit i cili për fat të keq ende vazhdon të jetë mjaftë i lartë. Jam padyshim i sigurt se këto molla që i shohim edhe sot këtu janë molla të cilat qytetarët e Kosovës me më shumë kënaqësi do i kishin në tryezat e tyre sesa mollat që ne i importojmë nga anekënd botës. Por për këtë padyshim nuk mjaftojnë vetëm puna që kemi bërë deri tash gjithë bashkë, por ne duhet që të punojmë edhe më shumë për të krijuar kushte edhe më të përshtatshme për gjithë fermerët e Kosovës”, tha ai.

Ministri përmendi se përveç me grante, ministria nga ky vit ka filluar mbështetjen edhe me subvencione, me nga 400 euro për hektar.

Ai shtoi se përkrahja në vazhdimësi do të rritet, duke punuar në përmirësimin e kushteve për mbrojtje dhe kultivim të mollës dhe pemëve të tjera, për të arritur kështu të zëvendësohet maksimalisht importi dhe të ketë rritje edhe të eksportit.

Gjithashtu, tha ministri, duhet punuar për të sjellë varietete të ndryshme të mollës dhe pemëve tjera, për të qenë kështu sa më prezent dhe të kërkuar në treg.

Mark Wood nga projekti AGRO i USAID vlerësoi të arriturat deri më tani në sektorin e pemëve dhe theksoi se ata do të mbesin partner të ministrisë dhe fermerëve edhe në vitet e ardhshme. Edhe Wood vlerësoi se duhen sjellë varietete të reja në mënyrë që të ecën në hap me mënyrat dhe varietetet e kultivuara edhe në vende të tjera.

Kryetari i Shoqatës së Pemëtarëve “Pema”, Safet Blakaj tha se këtë vit pemëtarët e kësaj zone janë mjaftë të kënaqur me rendimentet dhe cilësinë, por edhe plasimin e mollës në treg. Ai falënderoi MBPZHR-në për mbështetjen që i ka dhënë pemëtarëve dhe rritjen e vazhdueshme të mbështetjes.

Ai theksoi se do të përpiqen që të punojnë edhe më shumë sidomos në aspektin e promovimit dhe cilësisë. Në Kosovë aktualisht llogaritet të jenë mbi 2 mijë hektarë me molla.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31