MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Banka Botërore do të mbështesë bujqësinë në Kosovë me projekte të reja që e avancojnë edhe më shumë këtë sektor

05.12.2016

Prishtinë, 05 dhjetor 2016  -  Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë bujqësinë në Kosovë edhe në komponentë të reja që do ta avancojnë edhe më shumë sektorin, siç është ujitja e tokave bujqësore. Kjo u theksua në takimin që Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi pati me Ellen Goldstein, drejtoreshë për Ballkanin në Bankën Botërore ( BB) dhe drejtorin e BB-së për Kosovë, Marco Mantovanelli.

Ministri Krasniqi e njoftoi zonjën Goldstein me zhvillimin e bujqësisë në dy vitet e fundit dhe me ndikimin që kanë pasur investimet nga MBPZHR-ja por edhe projektet e tjera si ai i Bankës Botërore, USAID apo edhe organizata të tjera. Theksoi se ka ende shumë sfida e në veçanti disa që janë edhe strukturore për bujqësinë siç është mungesa e kapaciteteve moderne të ujitjes, konsolidimi i tokave dhe infrastruktura rurale. Ai falënderoi Bankën Botërore për përkrahjen që i ka dhënë bujqësisë në Kosovë, dhe për gatishmërinë që kjo mbështetje të vazhdojë dhe të rritet po ashtu, në veçanti duke u fokusuar në projekte të mëdha që do të rregullonin mungesën e ujitjes së tokave bujqësore.

Nga ana e saj, drejtoresha Goldstein vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe të arriturat e shënuara në sektorin e bujqësisë. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Bankës Botërore për bujqësinë, duke theksuar se si sektor ka kontribuar dhe po kontribuon në zhvillimin ekonomik në vend dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ministri Krasniqi dhe drejtoresha Goldstein u pajtuan që të kenë koordinim të vazhdueshëm për realizimin e projekteve të reja mes MBPZHR-së dhe BB-së për bujqësinë në Kosovë.   

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31